Rregjistrohu ne listen tone:

Rregjistrohu Ç'rregjistrohu
   

Deklarata


Studimi i AGENDA dhe Fondacionit MJAFT! - Shtypi

Popullsia e afte per pune, 50 % te papune - Shekulli

27 tetor 2007

Sipas studimit të Institutit Agenda financuar nga Banka Botërore, vendi ynë është më problematiku në rajon sa i takon punësimit

Studimi: Grupmosha nga 18-32-vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të të papunëve. Personat e lindur pas viteve '70 "brezi i humbur"

Niveli i papunësisë në vendin tonë kap shifra alarmante e si pasojë edhe varfëria kryeson në listën e zezë të vendeve më të varfra në rajon. Vetëm 50 për qind e popullsisë së aftë për punë, ka qenë e angazhuar në marrëdhënie pune gjatë 4 viteve të fundit. Ky është përfundimi i studimit të Institutit Agenda financuar nga Banka Botërore, sipas të cilës, të rinjtë që nuk kanë arsimin e detyrueshëm janë pre e papunësisë. Raporti u bë publik dje nga fondacionit "Mjaft!" ku u denoncua dështimi i qeverisë në politikat e punësimit pasi të rinjtë, personat më pak të arsimuar dhe të varfrit, janë kategoritë që vuajnë më tepër pasojat e sektorit informal të punësimit.

"Ka ardhur koha të tërheqim vëmendjen e politikave për brezat e rinj, përndryshe Shqipëria rrezikon të ketë "një brez të humbur" të ekonomisë së saj, kryesisht e përbërë nga persona të lindur në vitet '70",- bëhet e ditur në studim.

Papunësia

Shqipëria rreshtohet si një ndër vendet me pasojat më të rënda të tranzicioni, sa i takon nivelit të punësimit, në krahasim me fqinjët. Rezultatet negative publikohen pikërisht pas studimit të financuar nga Banka Botërore, sipas të cilit, vendi ynë vitet e fundit po shënon rritjen e papunësisë gjithnjë e më shumë. Kështu, rreth 50 për qind e krahut të punë, që konsiderohet nga mosha 18-vjeç deri në moshën e pensionit, gjatë 4 viteve të fundit nuk ka qenë i angazhuar në punë. Madje të dhënat për të pasur një punë afatgjatë janë akoma më pesimiste në vendin tonë. "Raporti i numrit të të papunëve afatgjatë, ndaj numrit të të papunëve gjithsej, kapi shifrën e 66 % në fund të vitit 2006",- bëhet e ditur në raportin e studimit të Institutit Agenda. Ndërkohë, në raport bëhet e ditur se, pjesa më e madhe e personave që gëzojnë një punë e kanë fituar atë në sajë të vetëpunësimit në bizneset e tyre familjare dhe në bujqësi, dhe kjo kategori përbën rreth 66 për qind të atyre që janë në punë.

"Brezi i humbur"

Quhen të tillë pasi përbëjnë pjesën më të madhe të papunëve dhe fatkeqësiht kjo është grupmosha më aktive për punë dhe përfshin moshat nga 18 deri në 32 vjeç. "Shkalla e punësimit të grupmoshave të reja është rreth 20% më e ulët se shkalla kombëtare e punësimit, punësimi i të rinjve nga mosha 15 deri në 32-vjeç ka shënuar rënie",- bëhet e ditur në studimin e Institutit Agenda, financuar nga Banka Botërore, duke shtuar se në kontekstin e arsimit 62% e të rinjve nga mosha 18 deri ne 24-vjeç nuk frekuentojnë shkollat e mesme apo ndonjë proces alternativ edukimi apo trajnimi, çka do të thotë se ata që nuk disponojnë dëftesën e arsimit të detyrueshëm, kanë shumë pak shanse për t'u punësuar. Ndërkohë në raport bëhet e ditur se arsyeja tjetër për punësimin e ulët tek moshat e reja, është që shumë të rinj përballen me vështirësi të konsiderueshme gjatë hyrjes në tregun e punës. "Fakti që afro 62% e të rinjve shqiptarë nga 18 deri 24-vjeç nuk përfundojnë arsimin e mesëm apo nuk janë në proces edukimi e trajnimi, është një tregues që flet qartë për dimensionin e dramës së papunësisë dhe është gjithashtu një tregues i dështimit të politikë-bërjes për orientimin e instrumenteve përkatëse efektive në lidhje me punësimin e të rinjve",- bëhet e ditur në studimin e Institutit Agenda.

62% e të rinjve shqiptarë nga 18 deri 24-vjeç, nuk përfundojnë arsimin e mesëm apo nuk janë në proces edukimi e trajnimi.

66% është raporti i numrit të të papunëve afatgjatë, ndaj numrit të të papunëve gjithsej, deri në fund të vitit 2006.

66% e atyre që konsiderohen në punë, janë të vetëpunësuar kryesisht në bizneset familjare dhe në bujqësi.

20% më e ulët se shkalla kombëtare e punësimit, është shkalla e punësimit të grupmoshave të reja.

Shqiptarët, shumica të vetëpunësuar - Shqip

Vetëm 34% e të punësuarve janë me pagesë. Pjesa tjetër në bujqësi ose biznesin e familjes

Numri i shqiptarëve të vetpunësuare arrin në 66 për qind dhe parashikohet të jetë në këtë nivel edhe për 6 vitet e ardshme. Sipas Strategjisë Sektoriale të Punësimit 2007-2013, del se 66% e atyre që konsiderohen në punë janë të vetëpunësuar, kryesisht në bizneset familjare dhe në bujqësi. Vetëm 34% e të punësuarve janë të punësuar me pagesë, ndërkohë që afro 62% e të vetëpunësuarve figurojnë se janë të angazhuar me kohë të plotë ndërsa 39% e tyre punojnë me kohë të pjesshme. Këto statistika flasin për dimensionin e lartë të vetëpunësimit në ekonominë e vendit, ku pjesa dërrmuese punon brenda biznesit familjar pa pagesë, duke rritur kështu vartësinë financiare nga familja. Në fokus të kësaj Strategjie Punësimi është riorientimi drejt tregut të brendshëm të punës i kontingjentit të emigrantëve. Sipas këtij dokumenti, emigrantet kane përfituar formim profesional dhe përvojë në vendet ku jetojnë e punojnë dhe përfshirja e tyre në tregun e punës në Shqipëri është menduar të inkurajohet nëpërmjet përjashtimit të përkohshëm nga taksat për bizneset që ata do të ngrenë. Por sipas Institutit Agenda dhe lëvizjes Mjaft qasja me këtë lloj politike mund të rezultojë artificiale për kontekstin aktual dhe nuk i përgjigjet shqetësimeve thelbësore të tregut të punës në Shqipëri. Ky treg vuan nga mungesa e punësimit , dhe kjo është arsyeja kryesore që detyron forcat me aktive te punës të shndërrohen në kontingjent emigracioni. Për një qasje më efektive të politikbërjes, do të duhej pikë së pari të adresohen politikat që parandalojnë emigracionin duke synuar orientimin e të rinjve, e sidomos të të kualifikuarve, drejt punësimit vendas dhe jo drejt emigracionit.

Punësimi i të rinjve

Punësimi i të rinjve përfaqëson një mundësi të humbur thelbësore. Është vlerësuar se përgjysmimi i numrit të të rinjëve të papunë në nivel global nga niveli aktual prej 14.4% në 7.2%, duke u fokusuar në politika mbi punësimin e të rinjve, do t‘i shtonte 4.4%, rritjes globale të PBB-së prej 7%. Studimet vlerësojnë se fitimet potenciale relative më të larta do të konstatoheshin në Afrikë, me një rritje të vlerësuar të PBB-së prej 12 deri në 19%. Strategjia e qeverisë mbi punësimin 2007-2013 parashikon që shpenzimet publike për arsimin, përfshirë atë parauniversitar dhe universitar, të përbëjnë zërin e parë prioritar në buxhet për vitin 2009 duke arritur në 5% të PBB-së. Gjithashtu, ky masivizim i vetëpunësimit tenton t‘i izolojë të rinjtë në të njëjtin biznes sikurse edhe familjarët e tyre, duke ulur kështu incentivat për eksplorimin e mundësive te reja për punësim e për rrjedhoje duke minimizuar kërkesat e tyre për kualifikim. Ky argumentim bëhet veçanërisht shqetësues në kushtet kur, sikurse vumë re më lartë, mungon një sistem i shëndoshë arsimor i cili të ofrojë perspektiva të drejtpërdrejta punësimi pas kualifikimit. Krijimi i vendeve të reja të punës përbën një prej sfidave më komplekse, e cila kërkon mbështetjen me politika stimuluese makroekonomike, një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit si dhe nga politika të shëndosha e të qëndrueshme arsimore. INSTAT-i parashikon se popullsia në moshë pune gjatë kesaj dekade do të rritet me afërsisht 5% në vit dhe në vitin 2015 do të përfaqësojë 2/3 e popullsisë së përgjithshme. Sipas ekspertëve për akomodimin apo shfrytëzimin e këtij potenciali nevojiten përmirësime konkrete në kapacitetin ekonomik te vendit në formën e incentivave apo politikave për hapjen e vendeve të reja të punës, pasi në të kundërt situata mund të shndërrohet në kundërproduktive

 
 

Strategjia e Rinisė nė Berat, 27 Maj 2014
me teper

Strategjia e Rinisė mbėrrin nė Sarandė! 22 Maj 2014
me teper

Strategjia e Rinisė, turi ndalon nė Gjirokastėr, 21 Maj 2014
me teper


Me teper Lajme
E ç'rëndësi ka sa vetë e vizitojnë këtë faqe