Rregjistrohu ne listen tone:

Rregjistrohu Ç'rregjistrohu
   

Deklarata


Shqipėria si Roma e lashtė - Koha Jonė

Sot, si 2000 vjet më parë

 

Nën gërmadhat e Romës nuk humbi gjithçka…

 

Nga Kristi Pinderi

 

Tiranë

 

Ja pse historianët revoltohen teksa shikojnë të përsëriten në Shqipëri ato që njerëzimi i ka zgjidhur 2000 vjet më parë.

 

Brenda pak muajve u shkatërrua gjithçka e trashëguar me synimin për ta nisur jetën nga e para. Kjo ndodhi tamam si në Perandorinë Romake, kur, rreth dy mijë vjet më parë, Roma u përball me një nga marrëzitë më misterioze të saj. Ishte viti 64, kur kryeqyteti u përpi nga flakët e një zjarri të tmerrshëm, që për 6 ditë-netë bëri kërdinë.

 

Shqiptarët e përgjegjshëm rreken të kuptojnë se si mund ta lenë pas shpine tranzicionin e gjatë, ndërsa historianët dëshpërohen se askush nuk i dëgjon. Mes tyre gjenden politikanët, të cilët vazhdojnë të premtojnë të pamundurën. E kështu Shqipëria përballet me probleme të cilat njerëzimi i ka zgjidhur qysh 2000 vjet më parë. Dhe ja sepse:

 

Në fillim të dekadës së fundit të shekullit të XX, Shqipëria përqafoi pluralizmin, teksa ishte në prag të një kolapsi ekonomik. Kishte trashëguar nga e kaluara fare pak fabrika e vende prodhimi, që, megjithatë mund të rifunksiononin. Por një zot e di se si u bindën shqiptarët të besojnë se mund ta nisnin gjithçka nga e para. Brenda pak muajve u shkatërrua gjithçka e trashëguar me synimin për ta nisur jetën pikërisht nga e para.

 

Kjo ndodhi tamam si në Perandorinë Romake, kur, rreth dy mijë vjet më parë, Roma u përball me një nga marrëzitë më të pashpjegueshme të saj. Ishte viti 64, kur kryeqyteti u përpi nga flakët e një zjarri të tmerrshëm, që për 6 ditë-net bëri kërdinë. Duke pretenduar se ishte me shije të holla artistike, Neroni donte të krijonte një qytet luksoz krejt të ri, që do ta pagëzonte me emrin e vet. Pamja e qytetit të lashtë e irritonte. Madje atij do t'i kenë dhembur sytë nga godinat e vjetra apo rrugët e ngushta e plot dredha të Romës antike. Prandaj ato duhej të fshiheshin nga faqja e dheut me gjuhën e flakëve! Mirëpo askush atëherë nuk u bind se një qytet i djegur mund të ishte më i mirë se një qytet me rrugë me dredha...

 

Shqipëria përballet sot me disa veprime arbitrare të shtetit karshi biznesit. Luftohet biznesi i madh vendas me argumentin se kështu luftohet korrupsioni e në këtë mënyrë rritet niveli i arkëtimit të taksave. Zbatohen madje taksa të ulta për biznesin e vogël, por nga ana tjetër shtohet artificialisht numri i bizneseve të mesme e të mëdha, që do të duhet të paguajnë më shumë. Kështu vepronin edhe perandorë romakë si Domiciani, Komodi, vetë Neroni, etj. Për të mbushur arkat e shtetit ata konfiskonin pasuritë e viktimave të tyre, por një politikë e tillë rëndonte me tërë peshën e vet mbi kurrizin e shtresave të gjera të popullsisë. Të lodhur nga kjo gjë, shumë shtetas të lirë të asaj perandorie preferuan të jetojnë me ndihmat që perandorët e tyre mund t'u jepnin. Ata u quajtën "lumpenproletariat", e gjithçka që dinin të bënin ishte: të përfitonin në çdo moment nga darkat që shtroheshin për ta në pallatin perandorak, me shpenzimet e gjithë shoqërisë. Sot, në Shqipëri nuk ndodhin këto gjëra, por në rrugë, e në çdo ambient tjetër publik nuk e ke të vështirë të konstatosh sa të shumtë janë të rinjtë e papunë apo edhe sa e lartë është shkalla e kriminalitetit. Shikoni se deri në ç'nivel ka arritur krimi i rrugës. Në Tiranë për shembull, ngado duhet të jesh tepër i kujdesshëm me adoleshentët që të vjedhin xhepat apo çantën! Veçse "lumpenproletariati" i sotëm, nuk e ka zgjedhur vetë këtë jetesë. Numri tepër i lartë i këtyre të rinjve pa asnjë vizion për të ardhmen shtohet si pasojë e mungesës dhe e vullnetit të shtetit për të zbatuar një politikë të qartë kundër këtij fenomeni.

 

Për të qenë sa më afër dëshirave të ushtrisë së tyre, perandorët romakë guxonin të sulmonin pronat e senatorëve e për t'ua dhuruar ato ushtarëve. Kush mund të mos konstatojë se sot, në Shqipëri, "senatorë" janë ish pronarët e madje të gjithë shqiptarët, e nga ana tjetër, ata që duhen favorizuar, pra "ushtarët" që sigurojnë jetëgjatësinë e pushtetit, janë vetë banorët "informalë"? Roma e lashtë e kuptoi fare mirë, se asgjë nuk mund të zgjidhej, nëse më parë, nuk zgjidheshin interesat jo vetëm të një shtrese apo klase, por interesat e të gjithë qytetarëve të lirë (pak më vonë edhe të vetë barbarëve). Në vitin 2006, për fatin e keq të të gjithëve ne, politikanët tanë mendojnë të kundërtën: të zgjidhin sipas mënyrës së tyre interesat e një pjese të votuesve, por në kurriz të një pjese tjetër, më të pakët numerikisht.

 

Në vitin 475, Oresti, njëri prej prijësve ushtarakë, solli në fronin perandorak të birin e tij Romul Augustinin, i cili në fakt ishte një perandor kukull. Pasi u vra Oresti, edhe i biri u largua nga froni. Romuli ishte perandori i fundit i kësaj perandorie, e cila ndonëse u shemb, nën gërmadhat e saj nuk humbi gjithçka. Roma antike la prapa idenë e madhe të bashkimit midis popujve, por mbi të gjitha i la njerëzimit nocione të sakta për shtetin, ligjet dhe institucionet aq të domosdoshme për qeverisjen normale të çdo shoqërie. Gjithashtu, në qoftë se në shtetet e zhvilluara të perëndimit askush nuk mund të dënohej pa iu provuar më parë fajësia në gjyq, edhe kjo praktikë u përvetësua pikërisht nga E Drejta Romake. Por o Zot! Edhe në këtë rast, ne jemi më shumë se 2000 vjet mbrapa! Sepse a nuk akuzohen sot, ata që nuk janë pjesë e pushtetit, si të ishin kriminelë, hajdutë, vrasës e të korruptuar? A nuk ndodh kjo, përpara se fajësia e tyre të provohet në gjyq? Ndonëse historianët mbajnë kokën me dorë ngaqë askush nuk i dëgjon, politikanët vazhdojnë të premtojnë atë që nuk realizohet dot: të pamundurën. Në këtë mënyrë e dëshpërojnë edhe më shumë historinë e cila thotë se politika është art i së mundshmes, jo i të pamundurës. Ja pse, politikanët tanë duhen çuar edhe një herë në bankat e shkollës. Ata duhet të njohin historinë.

 

Post Scriptum:

Njerëzimi trashëgoi nga epoka romake mbi 80 mijë kilometra rrugë tokësore të mirëmbajtura. Gjithë ky rrjet rrugor perfekt shpërndahej nga Roma drejt provincave të saj, që shtriheshin në tre kontinente. Jo më kot, thuhet dhe sot: të gjitha rrugët të çojnë në Romë! Në vitin 2006, Shqipëria rrezikon edhe të mos jetë pjesë e korridoreve europiane që janë projektuar fiks mbi sistemin gjeografik rrugor të Romës së lashtë...

 

kristi@mjaft.org

 
 

Strategjia e Rinisė nė Berat, 27 Maj 2014
me teper

Strategjia e Rinisė mbėrrin nė Sarandė! 22 Maj 2014
me teper

Strategjia e Rinisė, turi ndalon nė Gjirokastėr, 21 Maj 2014
me teper


Me teper Lajme
E ç'rëndësi ka sa vetë e vizitojnë këtë faqe