Udhëzues mbi Mirëqeverisjen e Institucioneve Shtetërore në Republikën e Shqipërisë

×

Error message

Deprecated function: The each() function is deprecated. This message will be suppressed on further calls in menu_set_active_trail() (line 2405 of /home/mjaft/public_html/includes/menu.inc).

Udhëzues mbi Mirëqeverisjen e Institucioneve Shtetërore në Republikën e Shqipërisë është publikimi më i fundit i realizuar në lidhje me matjen e treguesve të qeverisjes së hapur të institucioneve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të projektit Accountability, Technology and Institutional Openness Network in Southeastern Europe – ACTION SEE, hartuar nga Lëvizja MJAFT!. 

Qeverisja e hapur përfaqëson një kusht kyç për demokracinë - duke qenë se u ofron mundësinë qytetarëve të marrin informacionin dhe njohuritë e nevojshme mbi pjesëmarrjen e barabartë në jetën politike, vendimmarrjen efektive dhe llogaridhënien institucionale për politikat që ata administrojnë. Institucionet në gjithë botën ndërmarrin aktivitete specifike me qëllim që të rrisin transparencën e tyre dhe llogaridhënien drejt qytetarëve.

Qeverisja e hapur bazohet në katër parime organizacionale: transparenca, aksesueshmëria, integriteti dhe efektiviteti. Këto parime aplikohen në të gjitha degët dhe nivelet e pushteteve, nga pushteti qendror ekzekutiv te njësitë e vetëqeverisjes vendore, Kuvendi dhe sistemi i drejtësisë. Indeksi i Qeverisjes së Hapur është një indikator i përbërë, i cili mat shkallën në të cilën shtetet e Ballkanin Perëndimor janë të hapura ndaj qytetarit dhe shoqërisë, dhe është krijuar në mënyrë që të përkufizojë se në ç’shkallë qytetarët e këtyre shteteve aksesojnë informacion të përshtatshëm dhe të kuptueshëm prej institucioneve të tyre.

Në mënyrë që të masin shkallën e hapjes institucionale, partnerët e ACTION SEE, mbështetur në standardet ndërkombëtare, rekomandimet mbi bazën e shembujve të praktikave të mira, vlerësuan institucionet përmes disa indikatorëve të veçantë sasiorë dhe cilësorë, mbi bazën e: aksesimit të informacionit në faqet zyrtare të institucioneve, cilësisë së kuadrit ligjor për çështje individuale, burimeve të tjera të informacionit publik dhe pyetësorit të dërguar pranë zyrave të institucioneve.

Rezultatet e studimit kanë treguar se plotësimi mesatar total i treguesve të qeverisjes së hapur në Republikën e Shqipërisë arrin në shifrat 22%, ku pushteti ekzekutiv plotëson 38% të treguesve, Kuvendi shënon 63%, gjykatat 39%, prokuroritë 10% dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore 12% të treguesve të hapjes institucionale.  

Vlerësimi është zhvilluar gjatë përiudhës tetor - dhjetor 2016. Bazuar në monitorimin e të dhënave dhe në gjetjet e gjeneruara, një tërësi rekomandimesh dhe udhëzimesh drejtuar institucioneve janë hartuar sipas rezultateve të kërkimit. Hapat që rekomandohen për t’u ndërmarrë nga secila kategori e institucioneve janë ndërtuar duke marrë parasysh ata tregues që nuk ishin tërësisht të plotësuar në përformancën institucionale.

Projekti Accountability, Technology and Institutional Openness Network in Southeastern Europe – ACTION SEE  është realizuar nga Metamorphosis Foundation nga Maqedonia në partneritet me Westminster Foundation for Democracy nga Britania e Madhe, CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability nga Serbia, Citizens Association Why not? nga Bosnja dhe Hercegovina, Center for Democratic Transition nga Mali i Zi, Open Data Kosovo (ODK) nga Kosova, dhe Lëvizja MJAFT!, partneri për Shqipërinë, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.

Projekti ka për qëllim të rrisë përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe medias në proceset vendimmarrëse dhe në formimin e politikave dhe opinionin publik, si dhe të forcojë kapacitetet e shoqërisë civile në adresimin e këtyre çështjeve të ndjeshme.