MJAFT nderohet me Çmimin Nderkombëtar të OKB-së për Shoqërinë Civile
Lëvizja e të rinjve shqiptarë MJAFT, është nderuar ditën e mërkurë (24 nëntor) me Çmimin e vitit të OKB-së për Shoqërinë Civile. Ceremonia është zhvilluar në mesditë në Vjenë dhe pjesëmarrës kanë qenë mbi 200 ambasadorë të vendeve të ndryshme anëtare të OKB-së.
Lëvizja MJAFT ishte kandidate për të marrë këtë çmim, së bashku me rreth 1100 organizata, shoqata, lëvizje dhe rrjete NGO-sh nga e gjithë bota. Përzgjedhja është zhvilluar gjatë dy muajve të fundit dhe deri një javë më parë, ende nuk ishte bërë i ditur emri i organizatës që kishte fituar këtë çmim.
Çmimi iu dorëzua përfaqësuesve të MJAFT nga Zv.Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Maria Costa, ministrja e jashtme austriake Dr. Ursula Plassnik si dhe nga kryebashkiaku dhe guvernatori i Vjenës Mayer Michael Häupl.
UN Civil Society Award, është një çmim i cili u dha për herë të parë më 1997. Laureatë të tij janë organizata të njohura nga e gjithë bota, të cilat kanë luajtur një rol të madh në nxitjen e zhvillimeve pozitive në vendet ku ato janë aktive dhe ku ato kanë dhënë ndihmesë në ndërtimin e një imazhi shprese për kombet të cilat ato përfaqësojnë.
Një nga pikat më të forta të MJAFT, e cila e shndërroi atë në fituesen e garës së fortë për të merituar çmimin e OKB-së, ishte ekspliciteti me të cilin kjo lëvizje ka kritikuar fenomene shkatërrimtare që rëndojnë sot në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare si korrupsioni, trafiqet e paligjshme, morali i autoriteteve, etj.
Ky ka qenë edhe motivacioni për çmimin e sivjetshëm, i cili iu dha shqiptarëve të MJAFT, në një gjest inkurajimi dhe vlerësimi për të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e një shoqërie aktive, me debate të shendetshme publike dhe qytetarë të përgjegjshëm dhe të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësi.
Lëvizja MJAFT, dëshiron të falënderojë me këtë rast dhe t’i konsiderojë si pjesëtarë në meritën e marrjes së këtij çmimi prestigjoz ndërkombëtar, të gjithë shqiptarët, të rinjtë, prindërit dhe studentët, ata që e kanë mbështetur në përpjekjet për të bërë realitet një ëndërr të përbashkët për një Shqipëri dinjitoze.
Në fjalimin përshëndetës përpara ambasadorëve të OKB-së, i dërguari i MJAFT në Vjenë, Arbjan Mazniku tha se: “sot është një ditë kur ia vlen të jesh shqiptar dhe ne ndjehemi të nderuar të pranojmë këtë çmim në emër të lëvizjes MJAFT dhe të të gjithë qytetarëve të ndershëm të Shqipërisë – të cilët luftojnë çdo ditë me durim për më shumë dinjitet, ndershmëri dhe shanse për një jetë më të mirë. Ne ju premtojmë juve dhe atyre, se MJAFT nuk do të reshtë kurrë së kërkuari drejtësi dhe mundësi më të mira për jetën e shqiptarëve. Janë me mijëra të rinjtë që do të kishin dashur të ishin në vendin tim sot këtu, sepse është vizioni dhe energjia e tyre ajo që e bëri MJAFT-in një faktor ndryshimi tek ne dhe një shembull inspirimi në vende të tjera. Pranoni tani të gjithë mirënjohjen tonë që vlerësuat një fytyrë të ndryshme të Shqipërisë”.
Zv.Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Maria Costa, tha se “MJAFT! është tashmë fjala më e kuptueshme shqipe në nivel ndërkombëtar si shembull i gjallë i faktit që ndryshimet janë të mundshme”.
Nga ana e saj, ministrja e jashtë e Austrisë, znj. Plassnik në rolin e përfaqësueses së vendit mikpritës për këtë ceremoni tha duke iu referuar Mjaft se “këta të rinj duhen jo vetëm përgëzuar, por edhe inkurajuar e mbështetur që të mos ndalojnë përpara asnjë pengese”.
Lëvizja MJAFT lindi në Tiranë më 15 mars të vitit 2003, si një fushatë sensibilizuese kundër fenomeneve negative që damkosnin ndërgjegjen e Shqipërisë si corrupción, shërbimet e këqia, trafiqet e paligjshme, gjakmarrja dhe mosfunksionimi i demokracisë.
MJAFT u rrit me shpejtësi duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm, pas shumë aksioneve të suksesshme që lëvizja ndërmori kur kërkoi rritjen e buxhetit për arsimin, tarifa më të ulëta të shërbimeve telefonike dhe të energjisë, moral më të lartë dhe respekt nga ana e qeveritarëve për dinjitetin dhe ndjenjat e qytetarëve, imazhin më të mirë të Shqipërisë në botë, etj.
MJAFT ka nxitur për një kohë të gjatë debate të shumta në vend dhe ka gjeneruar diskutime për tema të ndryshme që ngacmojnë interesat e qytetarëve duke u bërë shpesh promotorë të ndryshimit të status quo-së në shumë sektorë të shoqërisë, duke i dhënë një shembull pozitiv ndryshimi edhe vetë shoqërisë civile shqiptare.