Konsultimet publike të bashkive për buxhetin 2023, a kanë ndodhur vërtet?

04/11/2022

Buxheti vjetor konsiderohet si drafti më i rëndësishëm i financave publike. Kjo qoftë për qeverinë qendrore, ashtu edhe për bashkitë. Është dokumenti, ku pasqyrohen politikat për mbledhjen e të ardhurave, ose e thënë ndryshe, sa taksa, tatime e tarifa do të paguajnë qytetarët dhe politikave të shpenzimeve, ose drejtimeve se ku do të investohen paratë.

Për shkak të ndjeshmërisë kaq të lartë, pasi ka të bëjë direkt me mirëqënien e taksapaguesve, vecanërisht për bashkitë, ku lidhja me qytetarët është më e afër dhe e drejtëpërdrejtë, por e parë edhe në këndvështrimin e llogaridhënies, buxheti i pushtetit vendor duhet t”u nënshtrohet konsultimeve publike me grupet e interesit.

Kjo është e përcaktuar edhe ligjërisht.

Sipas kuadrit ligjor në fuqi, bashkitë kanë detyrimin të kryejnë dëgjesa publike për buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm. Konkretisht, ky detyrim përcaktohet në ligjin 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", ku neni 16 citon: "Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes" dhe në nenin 18, pika 2: "Këshillimi me publikun, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme, si takimet e hapura me banorët e grupet e interesit, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore". Neni 15 i po këtij ligji përcakton se “Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre.

Çdo akt i organeve të vetëqeverisjes vendore publikohet në faqen zyrtare të internetit të njësisë vendore dhe afishohet në vendet e caktuara nga njësia për njoftimet publike”.

Gjithashtu, ligji nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” në nenin 5 të tij përcakton se

Programet buxhetore afatmesme dhe projektbuxhetet vjetore vendore konsultohen me komunitetin dhe grupet e interesit në njësinë e vetëqeverisjes vendore”.

Po a është konsultuar projektbuxheti 2023 nga 61 bashkitë në vend me qytetarët dhe grupet e tjera të interesit?

Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore shpjegon se në bazë të këtyre ligjeve, bashkitë kanë realizuar konsultime me publikun dhe grupet e interesit për projektbuxhetin e vitit 2023. “Të gjitha bashkitë kanë realizuar takime me publikun në të gjitha njësitë administrative, disa nga bashkitë kanë bërë dhe takime në bazë fshati dhe lagje. Janë realizuar takime dhe me grupe interesi, si biznesi sidomos për konsultimin e paketës fiskale, rinisë dhe grupeve vulnerable. Konsultimet janë bërë në ambiente të hapura, në natyrë dhe në salla të mbyllura”, shprehet Farrici.

Nga një vëzhgim në faqet zyrtare në internet të bashkive rezulton se një pjesë e tyre kanë bërë kanë shpallur kalendarin për kryerjen e konsultimeve publike për projektbuxhetin 2023. Por nuk ka asnjë informacion shtesë, nëse këto konsultime janë kryer. Nuk ka foto nga takimet dhe as të dhëna se kur ato kanë ndodhur, me cilët nga grupet e interesit apo sugjerimet që mund të jenë bërë. Kjo me përjashtime të rralla, si Bashkia Kolonjë. Por edhe në këtë rast, informacioni i publikuar në faqen zyrtare në internet është minimal dhe sipërfaqësor dhe fotot tregojnë vetëm për tre takime të kryera, që janë një numër thuajse i papërfillshëm për diskutimet e një drafti themeltar, si buxheti.  

“Njoftimet për konsultimet bëhen kryesisht digitale, por këto kombinohen me njoftimet fizike ose afishim në ambiente publike”, shpjegon Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore.

“Çdo bashki ka për detyrim të kryejë konsultime publike për dokumentet buxhetore dhe përfshirjen e tyre në këtë proces. Kjo ndodh në një numër të caktuar bashkish, si Shkodra, Korça, Durrësi apo dhe bashki të tjera. Megjithatë, shpallja e këtij kalendari nuk tregon që dëgjesa ka ndodhur (dhe për këtë vështirë se mund të kemi një database të integruar për bashkitë), që dëgjesa ishte efektive dhe përfshiu grupet e interesit, që ato cka u sugjeruan nga grupet e interesit dhe qytetarët u morën parasysh”, shprehet Merita Toska, eksperte e financave publike vendore.

Edhe në rastin kur këto konsultime mund të jenë bërë, sërish fakti që pjesa dërrmuese e bashkive nuk i kanë pasqyruar në faqet zyrtare në internet dëshmon për mungesë transparence në lidhje me qytetarët ose për faktin se janë bërë sipërfaqësore dhe jo me përfaqësi të gjerë, vetëm për mbushje të një detyrimi ligjor.

Të dhëna nuk ka as për përfshirjen e sugjerimeve të qytetarëve apo grupeve të tjera të interesit për projektbuxhetin. E thënë ndryshe, sesa janë marrë parasysh ato dhe janë reflektuar në draftin final, që i kalohet për miratim Këshillit Bashkiak. 

“Ka një përqindje të konsiderueshme të marrjes në konsideratë të sugjerimeve, por ajo duhet të shikohet më saktë në buxhetet e miratuara nga Këshillat. Duhet të theksohet roli kyç që kanë Këshillat në procesin e konsultimit dhe miratimit të buxhetit”, shpjegon Farrici.

Është qartazi e dukshme se procesi i hartimit dhe miratimit të projektbuxhetit të bashkive në pjesën dërrmuese të rasteve ndodh pa konsultimin e qytetarëve dhe grupeve të interesit, ata që janë kontribuesit kryesorë në këtë buxhet dhe teorikisht, duhet të jenë dhe përfituesit.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

Burimi i fotos: https://cutt.ly/4N0MSNk