Web-et e gjykatave/ Asnjë informacion për vendimet e çështjeve me interes publik

×

Error message

  • Deprecated function: Array and string offset access syntax with curly braces is deprecated in include_once() (line 20 of /home2/mjaft/public_html/includes/file.phar.inc).
  • Notice: Trying to access array offset on value of type int in element_children() (line 6609 of /home2/mjaft/public_html/includes/common.inc).
  • Deprecated function: implode(): Passing glue string after array is deprecated. Swap the parameters in drupal_get_feeds() (line 394 of /home2/mjaft/public_html/includes/common.inc).
29/07/2022

Shkroi: Marjo Brakaj

Kanë format dhe ngjyra të njëjta, por dhe një mangësi të përbashkët: si qytetar i thjeshtë nuk mund të informohesh lidhur me proceset gjyqësore dhe vendimet e gjyqësorit për çështje që kanë interes publik, si rastet e korrupsionit. Bëhet fjalë për faqet zyrtare në internet të gjykatave të rretheve. Nga një vëzhgim lidhur me përmbajtjen e tyre konstaton se kanë një informacion sipërfaqësor lidhur me gjyqet, statistikat apo format e kontaktit, por nuk kanë informacion lidhur me seancat gjyqësore për çështje me interes për publik dhe as nuk janë të zbardhura vendimet e marra në këto seanca. Kjo për shkak të kuadrit ligjor që është në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili parashikon anonimatin e proceseve gjyqësore.

Referuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të gjitha vendimet dhe çështjet me karakter publik, siç mund të jenë, për shembull, çështjet që kanë lidhje me korrupsionin publik, duhet të jenë të hapura për publikun e gjerë, për ekspertët dhe për të gjitha palët e interesuara për të marrë pjesë në këto seanca.

Për rrjedhojë, edhe vendimet më pas mund të publikohen online ose mund të zbardhen si vendime për çdo seancë gjyqësore të zhvilluar. Në rastin tonë, në kushtet kur legjislacioni ynë nuk e parashikon një gjë të tillë, gjykatat thonë që nuk janë të detyruara për ta bërë këtë gjë dhe normalisht nuk bazohen fare në standardet europiane dhe ndërkombëtare për ta bërë një gjë të tillë, përsa kohë nuk ua kërkon legjislacioni.   

“Detyrimet që ka marrë Shqipëria karshi mbrojtjes së të dhënave personale, detyrojnë gjykatat që të bëjnë anonimizimin e proceseve gjyqësore dhe në shumicën e rasteve, për shkak se ky proces kërkon burime të dedikuara, të cilat nuk janë, këto vendime nuk dalin më në faqe, duke shkaktuar një minus ose një deficit transparence përsa i takon punës së gjykatave. Gjyktatat marrin vendime të Republikës dhe përsa kohë këto janë gjëra që i takojnë publikes, është e pakuptimtë që ato t’i mungojnë domenit publik, qoftë ky edhe domenit virtual në internet”, shprehet Gert Shella, drejtues i Infocip, i cili ndjek nga afër punën e Gjykatave. 

Por për juristin Dorian Matlija, Shqipëria e ka të sanksionuar në Kushtetutë, që është edhe ligji themeltar, të drejtën që vendimet e gjykatave duhet të jenë publike. Kjo për shkak të sistemit që ka zgjedhur vendi ynë.

“Në parim, fakti që të kufizon disa të dhëna nga proceset gjyqësore nuk konsiderohet si një shkelje e transparencës së gjykatave. Por varet nga sistemi që zgjedh një shtet. Ka shtete në Bashkimin Europian që kanë zgjedhur opsionin e gjykatave me informacion të kufizuar. Ka shtete të tjera që kanë zgjedhur opsionin e gjykatave të hapura. Shqipëria bën pjesë në kategorinë e dytë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka mbajtur qëndrim të ndryshëm në raste të ndryshme. Ato shtete që e kanë mbajtur në parim që të mos kenë vendime gjyqësore publike, për ato raste Gjykata e Strasburgut ka qenë tolerante ndaj mungesës së pjesshme të transparencës. Ndërsa për vende si Shqipëria, që absolutisht e kanë të sanksionuar edhe në Kushtetutë madje, që vendimet gjyqësore duhet të jenë publike, për këto raste Gjykata Europiane ka mbajtur qëndrim që këto vendime duhet të publikohen, pasi në fund të fundit ky është edhe qëllimi i kushtetues-bërësit të vendit përkatës”, shpjegon Matlija.

Ai shkon më tej teksa tregon skemën sesi funksionon sot me kufizimin e të dhënave nga gjykatat.

“Ideja e transparencës së vendimeve gjyqësore është një ide më e hershme se e drejta e informimit në vetvete, në kuptimin modern të saj. Gjykatat prandaj janë quajtur në gjuhë të ndryshme court ose courte, sepse zhvilloheshin në vende te hapura, zhvilloheshin nëpër oborre, me idenë që ishin gjyqe publike dhe çdo gjë bëhej në sy të hapur të publikut. E njëjta lloj rrënje filozofike është ajo që kemi trashëguar ne nga sistemi europian. Në Shqipëri ne e kemi të vendosur në Kushtetutë bërjen publike të vendimeve gjyqësore dhe nuk ka as edhe një element të vetëm që kjo e drejtë të kufizohet nga ndonjë institucion tjetër, përveç vetë gjykatës. Kjo do të thotë që, nëse do të ketë raste të caktuara ku gjykata do të shohë që duhet të ruaj anonimatin e disa individëve, është vetë gjykata që duhet të vendosë që ta ruajë këtë. Nuk mund të lihet kompetencë një organi administrativ, qoftë edhe ky Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, aq më tepër të nxjerrin udhëzime për kufizimin e këtyre të dhënave. Mospublikimi i vendimeve gjyqësore dhe anonimizimi i tyre do të bëhet në bazë të udhëzimeve të komisionerit dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe janë në kundërshtim të plotë me parimet tona kushtetuese. Parimi është: çdo gjë është transparente, përveç rasteve të veçanta që nuk janë transparente.  Ajo që këto organe kanë vendosur është që çdo gjë është e anonimizuar, përveç rasteve të posaçme që kanë interes publik. Kjo është që ta kthesh mbrapsht të gjithë parimin, mbi të cilin është ndërtuar shteti në Shqipëri dhe shumica e vendeve të Bashkimit Europian”, deklaron Matlija.     

E padyshim që një situatë e tillë ka dëm për qytetarët dhe në finale dhe vetë për sistemin gjyqësor.  Kjo pasi goditet transparenca dhe ulet besueshmëria tek gjyqësori. 

“Dëmi që mund të vijë në rastin konkret nuk është vetëm tek parimi, por ka dhe efekte në praktikë. Duke mos ditur publiku se çfarë bëhet me vendimin e gjykatës, nuk ka mundësi së pari, të kontrollojë veprimtarinë e gjykatës. Së dyti, palët e interesuara për një gjyq, do të donin të dinë se u zhvillua një gjyq ku ata mund të merrnin pjesë si palë të treta dhe shumë implikime të tjera që mund ta bëjnë shumë të vështirë realizimin e shumë të drejtave të tjera, që lidhen me transparencen e vendimeve gjyqësore”, argumenton juristi.  

I të njëjtit mendim është edhe eksperti Gerti Shella. Në një vlerësim të përgjithshëm, ai gjykon se faqet zyrtare të gjykatave të rretheve në internet kanë një informacion bazik, por mungesa me publikimin e të dhënave për proceset gjyqësore mbetet mangësi jo e vogël, pasi dëmton transparencën dhe të drejtën e publikut për të pasur informacion.

“Faqet e Gjykatave të Apelit dhe faqet e Gjykatave të Shkallës së Parë janë në standard uniform, të cilat janë ndërtuar nëpërmjet ndihmës direkte që ka dhënë Ministria e Drejtësisë para 4 ose 5 vitesh. Përmbajnë informacion të mjaftueshëm, në kuptimin që është lista e gjyqeve, shortet, një pjesë e vendimeve. Por mangësia lidhur me anonimatin e proceseve gjyqësore, qendron”, shton Shella.

Mosdhënia e informacionit për vendimet e gjyqësorit i shton “hijet gri” ndaj këtij pushteti, të atemuar masivisht për korrupsion dhe drejtësi të munguar.

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

 

Image source: https://cutt.ly/SZjCAJ5