Sistemi gjyqësor në Shqipëri
Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka performuar 31% të hapjes institucionale. Ky rezultat është i ngjashëm me atë të vitit të shkuar, me një diferencë të vogël prej 1%, gjë e cila tregon se prokuroritë dhe gjykatat në Shqipëri kanë ende punë për të bërë në arritjen e një rezultati të kënaqëshëm, për t’u bërë më shumë transparente dhe e aksesueshme. Përgjatë katër viteve të fundit, sistemi gjyqësor në Shqipëri ka qenë një nga pushtetet më të diskutuara në debatet politike; reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut janë komponentë kyç në hapjen e negociatave ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Nga ana tjetër, procesi i vetingut ka ndikuar ndaj ritmit të ngritjes së institucioneve të reja gjyqësore. Institucione të tilla të reja në gjyqësor, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Emërimeve në Drejtësi janë krijuar në Dhjetor 2018, ndërsa kanë filluar të punojnë në Janar 2019. Për rrjedhojë, këto institucione nuk janë përfshirë në këtë studim.
Gjykatat
Këtë vit, gjykatat e Republikës së Shqipërisë kanë plotësuar vetëm 49% të treguesve që masin hapjen e tyre institucionale, gjë e cila tregon një rritje me 4% krahasur me matjet e vitit të shkuar, duke qenë më afër mesatares rajonale dhe renditur ndërmjet atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë patur përmirësime në fushën e hapjes institucionale. Megjithatë, përpos këtij përmirësimi, ka ende punë për të bërë nga ana institucionale në të qënurit më shumë transparentë.
Përmes studimit, është vënë re se gjatë këtij viti, Gjykata e Matit shënon sërish performancën më të ulët me 10%, rezultat më i ulët krahasimisht me vitin e shkuar, ndërkohë që Gjykata e Tiranës vazhdon të jetë më transparentja, me 66% të treguesve të plotësuar.
Rezultuar në të njëjtën performancë si vitin e shkuar tregon se hapat e ndërmarrë janë në nivele të ulëta, në mos inekzistente.
Prokuroritë
Prokuroritë në Republikën e Shqipërisë plotësojnë vetëm 13.5% të treguesve të hapjes institucionale, rezultat që qëndron shumë larg mesatares rajonale, në nivele të pakënaqshme. Në rastin e Shqipërisë, të gjitha prokuroritë e rretheve janë të listuara në faqen zyrtare online të Prokurorisë së Përgjithshme, ku mungesa e informacionit të detajuar mbi aktivitetin e secilit institucion është një nga arsyet e arritjes së këtij rezultati të treguesve të ngritur për të matur hapjen institucionale të zyrave të prokurorive. Këtë vit, rezultati më i ulët ishte ai i 6.3% të treguesve të plotësuar, për prokuroritë si: Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Korçës, Prokuroria e Pukës, Prokuroria e Kukësit, Prokuroria e Tropojës, Prokuroria e Përmetit, Prokuroria e Gjirokastrës dhe Prokuroria e Dibrës. Ndërsa rezultatin më të lartë e shënon Prokuroria e Krimeve të Rënda, me 24.7% të treguesve të plotësuar të indeksit të hapjes institucionale.
Bazuar në matjet e kryera përgjatë periudhës Dhjetor 2018 deri në Mars 2019.