Buxhetet vendore 2023, të pakuptueshme për qytetarët. Nocionet bazë nuk njihen dhe as nuk shpjegohen për transparencë

07/11/2022

Kur flitet për buxhetin, veçanërisht atë të pushtetit vendor, jo gjithmonë është e lehtë të kuptohet. Sidomos për qytetarët e thjeshtë, që nuk janë të pajisur me nocionet dhe parimet ekonomike. Është detyra e bashkive që buxhetin ta bëjnë të kuptueshëm për qytetarët e tyre, që ta ndajnë atë me qytetarët, duke iu dhënë atyre informacionet e duhura lidhur me të ardhurat, apo sesa taksa e tarifa do të paguajnë; me shpenzimet apo se ku do të përdoren paratë e tyre, me investimet që ndihen në mënyrë direkte në komunitet apo me borxhet, që janë kthyer edhe një ndër shqetësimet kryesore të pushtetit vendor sot.  

“Buxheti i bashkive nuk është thjesht numër, shifër apo aritmetikë. Buxheti është proces, është politikë, është vendimmarrje, është buxhet i qytetarëve. Dhe duke qenë i tillë duhet dizajnuar për të paraqitur informacionin kyç të financave publike vendore për një audiencë të thjeshtë të përgjithshme. Nga sa unë kam monitoruar buxhetet e bashkive, mendoj që ata duhet të shkruhen në gjuhë të thjeshtë, që të përfshijnë elementë vizualë, që të lexohen dhe të kuptohen nga cilido qytetar dhe jo thjesht nga specialistët dhe zbatuesit, por nga përfituesit”, shpjegon Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor.

Mungesa e konsultimeve publike, të hapura dhe të detajuara me qytetarët, ashtu siç parashikon edhe ligji, është arsyeja kryesore që sipas Artan Shkëmbi, ekspert për pushtetin vendor, qytetarët nuk informohen mbi buxhetin dhe as mbi treguesit kryesorë të tij, duke mos pasur kështu as nocionet bazë, si të ardhurat dhe shpenzimet.  

“Nëse buxhetet konsultohet, atëherë ato kuptohen nga qytetarët. Nëse nuk konsultohet dhe janë thjesht tabela të paraqitura në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë, këto tabela nuk kuptohen as nga këshilltarët dhe jo më nga qytetarët. Ajo që ndodh sot rëndom me bashkisë është se mungon konsultimi publik ose realizohet shumë pak, në disa takime ku nuk flasin qytetarët, por vetëm drejtuesit e bashkive, dhe nga ana tjetër, në mbledhjen e Këshillit paraqiten disa tabela, të cilat përveç anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë, pjesa tjetër e këshilltarëve nuk i kuptojnë dhe i votojnë formalisht”, shpjegon Shkëmbi.

Informacioni ku të shpjegohen të dhënat e detajuara të buxhetit, për të cilin qytetarët të ndërgjegjësohen për të paguar taksa dhe për të kërkuar më pas llogari të zgjedhurve vendorë sesi përdoren ato, mungon. Bashkitë nuk përgatisin dhe shpërndajnë broshura me këto informacione dhe as i publikojnë ato në faqet e tyre zyrtare në internet, për të bërë transparencën me qytetarët e tyre.

“Transparenca buxhetore përkufizohet si zbulimi i plotë i të gjitha informacioneve përkatëse fiskale në kohë dhe në mënyrë sistematike. Vendet anëtare të OECD-së janë në krye të praktikave të transparencës buxhetore. Bashkitë kanë detyrime për të bërë transparencë për buxhetin, por jo vetëm. Për vitin aktual është vështirë të gjesh projektbuxhetet në website-t dhe mediat sociale të tyre. Kur nuk bëhet thjesht postimi i tekstit online, përgatitja e broshurave duket e pamundur”, shprehet Haxhimali.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe eksperi Artan Shkëmbi. Sipas tij, po krijohet një traditë e keqe, ku të zgjedhurit vendorë nisin konsultimet publike për buxhetin pa pasur gati projektbuxhetin. Kjo i bën konsultimet formale dhe aspak efikase apo në funksion të qytetarëvve. “Nuk ka broshura sqaruese që të paraqiten nga ana e bashkive. Edhe nëse nuk kanë mundësi financiare që të printojnë, të publikojnë dhe të shpërndajnë në zonat përkatëse broshurat, sot teknologjia bën të mundur që informaiconi të jepet nëpërmjet rrjeteve sociale apo faqes zyrtare të bashkive në internet.

Nëqoftëse kontrollon sot faqet e bashkive, gjen shumë pak informacion të dhëna nga bashkitë lidhur me draft buxhetet. Pra, ajo që është kthyer në një traditë të keqe të bashkive sot është se fillon procesi i konsultimit pa pasur një draft.

Normalisht duhet të kishim një projektbuxhet dhe bazuar tek projektbuxheti do të fillonte procesi i konsultimit dhe informimit të konumitetit. Sot bashkitë zhvillojnë takime me qytetarët, publikojnë fotografi të kryetarëve të bashkive me banorë, por nuk publikojnë informacion në lidhje me projektbuxhetin”, deklaron Shkëmbi.

Duke mos patur informacion për buxhetin, qytetarët e kanë thuajse të pamundur të njohin treguesit kryesorë të tij, siç janë të ardhurat. Duke mos ditur për çfarë të paguajnë, është normale që të ketë rezistencë nga një pjesë e tyre për shlyerjen e detyrimeve. E thënë më thjesht, mbledhja e tarifës së pastrimit dhe të ardhurat nga kjo tarifë shkojnë për pastrimin e qytetit. Nëse mbledhim tarifat e ndriçimit, këto duhet të shkojnë për ndriçimin apo për përmirësimin e çështjes së ndriçimit. Të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit, si dhe nga taksat e qytetarëve, duhet të shkojnë për pagat e personelit, për shpenzime të tjera administrative dhe për investime. Ndërsa të ardhurat që vijnë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, dmth nga lejet e ndërtimit, parimisht duhet të shkojnë për investime në infrastrukturë. 

“Në lidhje më të ardhurat dhe investimet, bashkitë nuk e kanë kuptuar akoma dhe më pak e kanë kuptuar qytetarët që të ardhurat e bashkive bazohen në të ardhurat nga qeveria, nga taksat dhe tarifat. Orientimi duhet të jetë i qartë njëherë për bashkitë, me qëllim që ato t’ua shpjegojnë qytetarëve që të ardhurat nga tarifat lidhen me shërbimet përkatëse”, shpjegon Shkëmbi.

Ndërsa për ekspertin Agron Haxhimali, kjo është pjesa më delikate. “Të ardhurat e bashkisë nuk janë vetëm taksat dhe tarifat, për të cilat pak a shumë qytetarët kanë një nivel kulture. Por këtu ajo që nuk del qartë për qytetarët janë të ardhura të tjera që shkojnë në arkën e bashkive, që direkt apo jo direkt, përsëri rëndojnë mbi qytetarët. P.sh., taksa e ndikimit në infrastrukturë, tarifat për zënie të hapësirës publike, të ardhurat nga transaksionet, të ardhurat nga qiratë e aseteve, përfitimet nga ndërmarrjet etje. Ky është problem, madje edhe në raporte, një pjesë e këtyre burimeve nuk përmenden”, shprehet ai.

Të ardhurat që qytetarët paguajnë, duhet të përkthehen në investime. Por edhe koncepti i tyre për komunitetin është i huaj. Kjo edhe pse investimet duhet të ndihen direkt prej tyre, pasi bëhet fjalë për investime lokale. Sërish shifrat mungojnë. Mungojnë gjithashtu shpjegimet nga të zgjedhurit vendorë se ku duhen përdorur paratë e taksapaguesve.

“Pjesa që lidhet me investimet është pjesa që duhet të konsultohet me qytetarët dhe që qytetarët duhet ta kuptojnë dhe të japin vendime. Flasim për shifra buxhetesh, që edhe vetë qytetarët çuditen, pasi janë buxhete vjetore 3 milionë euro në vit, 10 milionë euro në vit, 30 milionë euro në vit, 50 milionë euro në vit.  

Por në fakt, vetëm maksimumi 10% e tyre lidhet me investimet, pasi rreth 90-95% e buxhetit është e kontraktuar dhe ka të bëjë me pagat e punonjësve, me shërbimet e pastrimit, ndërmarjet e pastrimit, mirëmbajtjen e shkollave, ngrohjen në shkolla etj. Në fakt, shifra që duhet konsultuar dhe duhet publikuar është shumë e vogël dhe mund të kuptohej nga qytetarët, nëse do të orientohej në këtë drejtim.

Pra, bashkia ka të miratuar listën e prioriteteve dhe do të mjaftonte që përpara qytetarëve të sqarohej pikërisht kjo gjë. Këto janë prioritetet tona, ju mund të shtoni, këto janë paratë që kemi në dispozicion dhe t’i pyesni qytetarët se ku doni që këto para t’i investoni. Pra, kemi 1 milionë euro gjithsej për investime, 7 projekte kemi planifikuar ne, shtoni dhe ju mendimet tuaja dhe tregoni sesi do ta shpërndanit këtë fond dhe këto projekte”, argumenton Artan Shkëmbi.

E njëjta gjë vlen me borxhin e bashkive. Një tjetër koncept që njihet pak ose aspak nga qytetarët, një pjesë e të cilëve problemet e borxhit i mësuan nga media, ku u dha lajmi i falimentimit të dy bashkive në vend, Vorës dhe Kavajës.

“Nëse shikojmë median sociale të 61 bashkive është e vështirë të gjesh vlerën totale të borxhit dhe jo më se kujt i përket dhe çfarë përfaqëson ky borxh. Asnjë detaj mbi këto të dhëna për publikun, por edhe vetë Këshilli Bashkiak dhe admistrata nuk dinë mbi këtë çështje. Një grup i vogël, titullari i bashkisë, shefi i financave apo një grusht njerëzish në krye të bashkive kanë dijeni mbi borxhin. Thjesht fare, bashkitë duhet ta bëjnë publike dhe të azhornojnë çdo muaj ndryshimet“, deklaron Agron Haxhimali.  

Ndërsa për ekspertin Artan Shkëmbi, bashkitë duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve çështjen e borxhit, që i ndodh çdo bashkie në botë dhe nuk është shqetësues nëse nuk neglizhohet dhe mbartet për shumë vite.  

“Çdo bashki do të krijojë një borxh çdo vit. Nëse të ardhurat e bashkisë realizohen 70%, atëherë 30% është një detyrim i prapambetur që bashkia ka krijuar gjatë këtij viti. Ky 30% duhet sqaruar nga bashkia dhe duhet bërë publik për qytetarët që kemi realizuar 70% të të ardhurave dhe që është normale, kemi realizuar 100% të shpenzimeve sepse kanë qenë të kontraktuara, ky është borxhi që kemi krijuar. Atëherë, ky borxh duhet të llogaritet te buxheti i vitit të ardhshëm. Sigurisht, që në buxhetin e vitit tjetër do të parashikohet shlyerja e këtij borxhi dhe mund të krijohet borxh tjetër dhe kështu mund të ecet“, shprehet Shkëmbi.

Vëzhgimi mbi faqet zyrtare të bashkive në internet tregon se nuk ka projektbuxhete të publikuara dhe as shpjegime, grafikë apo tabela për tregues të veçantë. Nuk ka asnjë informacion që qytetarët të kuptojnë, madje edhe buxhetet e viteve të mëparshme, janë gjithashtu të pakuptueshëm. Kjo, një situatë që flet për një transparencë të munguar.

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

Burimi i fotos: link