Buxhetimi gjinor, bashkitë as informacion në web-et e tyre për këtë detyrim ligjor
Gati çdo ditë në media shfaqen ngjarje të dhunës në familje, ku viktimat në thuajse 100% të rasteve janë gra dhe vajza. Histori të dhimbshme dhe që ndodhin jo vetëm në fshatra të thellë apo periferi, por edhe në mesin e qyteteve të mëdha. Një pjesë e këtyre ngjarjeve mund të parandalohen, nëse qytetarët ndërgjegjësohen dhe nëse sigurohet një akses i barabartë për gratë dhe burrat në shërbimet dhe sferën publike. E thënë ndryshe, nëse policia dhe prokuroria do të vepronin me shpejtësi në çdo rast denoncimi të dhunës nga gratë dhe vajzat, pavarësisht origjinës, moshës apo çdo lloj paragjykimi tjetër për to. Apo edhe thjesht, mosfunksionimit të solidarizimit mashkullor në rastet e dhunës dhe jo vetëm.
Ajo, që në thelb është barazia gjinore. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për këtë çështje ka pasur një vëmendje të shtuar vitet e fundit. Kështu, financimet për buxhetimin gjinor kanë ardhur në rritje që prej vitit 2015, kur ishin në nivelin 4.8 miliardë lekë, ndërsa kanë arritur në 38.2 miliardë lekë në fund të 2021-it. Kjo shifër përbën rreth 9% të totalit të shpenzimeve buxhetore për vitin e kaluar, duke qenë ndër më i larti në rajon.
Por pse në terren atëherë ka probleme? Ligjërisht, përgjegjëse për zbatimin e buxhetimit gjinor dhe politikave për barazinë gjinore nuk është vetëm qeveria, por edhe bashkitë. Miratimi i Ligjit Nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” ka krijuar mundësitë për përfshirjen e efektshme të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor në të gjitha fazat e ciklit të menaxhimit financiar vendor (programimi i buxhetit vjetor dhe afatmesëm, monitorimi dhe raportimi, vlerësimi dhe auditimi) nga njësitë e qeverisjes vendore.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
8. Të sigurojë që në krijimin dhe shpërndarjen e burimeve financiare vendore të njësive të vetëqeverisjes vendore përshpejtohet dhe realizohet barazia gjinore.
Neni 36
Programi Buxhetor Afatmesëm Vendor
c) Qëllimet e politikave të programeve, objektivat e politikave të programeve, projektet e investimeve publike, produktet e programeve dhe kostot e tyre përkatëse. Të paktën një nga objektivat e politikave të programeve duhet të adresojë problematika të pabarazisë gjinore ose respektimin e plotë të barazisë gjinore, duke identifikuar qartazi produktet
Kjo do të thotë se të gjitha bashkitë kur hartojnë buxhetet vjetore apo buxhetet afatmesme, duhet të planifikojnë fondet për barazinë gjinore dhe ndihmën ndaj grave dhe vajzave. Gjithashtu, të gjithë qytetarët duhet të informohen për planifikimin e këtyre fondeve dhe drejtimet e përdorimit të tyre. Por a ndodh kjo?
Nga një vëzhgim në faqet zyrtare në internet të bashkive nuk rezulton të ketë informacion të plotë, të qartë dhe lehtësisht të evidentueshëm dhe të kuptueshëm. Në shumicën e web-eve vendore, informacioni mbi buxhetimin gjinor dhe rolin e bashkisë mungon tërësisht. Ndërsa në disa faqe të tjera, ka informacione sporadike, pjesë e ndonjë projekti, që pasqyrohet kryesisht në formën e ndonjë shkrimi.
Ekspertja e çështjeve vendore, Merita Toska shpjegon se bashkitë nuk planifikojnë buxhetet e tyre duke pasur parasysh barazinë gjinore. “Bashkitë nuk buxhetojnë me bazë gjinore në praktikën e tyre të përvitshme. Nëse shikojmë formatet standarde që ato plotësojnë për hartimin e programit buxhetor afatmesëm dhe atë vjetor, nuk parashikohet që kjo gjë të ndodhë. Ndonjë përjashtim bëhet në rastet kur projekte zbatohen në bashki të caktuara dhe hartohet një dokument mbi buxhetimin me bazë gjinore (bashkia Elbasan është një shembull). Në dijeninë personale, në faqet e bashkive nuk gjendet një informacion i tillë (përjashto rastet e ndonjë bashkie që mund të ketë prodhuar një dokument të tillë me ndihmën e projekteve). Buxhetimi me bazë gjinore, nuk është një praktikë e përhapur dhe që të zbatohet gjerësisht nga 61 bashkitë në vend”, shprehet Toska.
Edhe eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali evidenton mungesën e transparencës nga ana e bashkive për çështjet e barazisë gjinore dhe buxhetimit gjinor. Sipas tij, thuajse të gjitha informacionet që janë në faqet zyrtare të tyre nuk janë të përditësuara dhe nuk i shërbejnë informimit të qytetarëve.
“Sa i përket transparencës së bashkive, fatkeqësisht duhet të themi që dhe pse shumica e bashkive janë të pranishme online, informacioni në faqet e tyre është i vjetër dhe nuk azhornohet rregullisht. Publikime për aktivitete të caktuara publikohen rrallë ose kur është kërkesë e donatorit. Kjo duhet të bëhet kulturë institucionale dhe normalitet. Por çështja këtu më shumë sesa transparenca është e lidhur me realitetin. Sa realisht Këshillat Bashkiakë i trajtojnë dhe i mbështesin çështjet gjinore me instrumente dhe politika financiare. Bashkitë hartojnë plane veprimi për barazinë gjinore, që përmbajnë kryesisht masa për barazi gjinore në administratë, lehtësira fiskale për gratë dhe mbrojtja ndaj dhunës. Këto plane zakonisht dhe kostohen. Bashki, të cilat nuk kanë këtë plan, i përfshijnë masa të tilla në planet e tyre sociale, që kryesisht adresojnë gratë në vështirësi. Por të gjitha këto është mirë që të përgatiten me grupet e interesit dhe të bëhen publike ne web-sitet e bashkive apo kanaleve të tjera të komunikimit”, shpjegon Haxhimali.
Ndërkaq informimi i qytetarëve lidhur me çështjet e barazisë është një detyrim ligjor. Kjo në bazë të vendimit Nr. 400, datë 30.6.2021 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, 2021–2030 dhe të planit të saj të veprimit”, i cili detyron bashkitë që t’i ndërtojnë strategjitë lokale mbi bazën e kësaj strategjie.
“Por duhet theksuar se ka disa prej bashkive kanë nënshkruar Kartën Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore, përgatitur në vitin 2006 nga Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve të Evropës. Këto bashki kanë përgatitur më pas dhe Plane Veprimi për Barazinë Gjinore, ku përshkruajnë masat dhe veprimet lokale. Këto plane shoqërohen dhe me kosto apo fonde të nevojshme për zbatimin e tyre. Masat kryesore janë zbatimi i politikave administrative në mbështetje të barazisë gjinore, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe biznesit, lehtësira për bizneset e grave, infrastrukturë lokale e sigurtë dhe mbrojtja nga dhuna”, shpjegon Haxhimali.
Por ndërsa kuadri ligji dhe konventat ndërkombëtare sanksionojnë detyrimin e pushtetit vendor për të hartuar plane dhe përcaktuar fonde për barazinë gjinore dhe për të bërë transparencën e tyre online për qytetarët, sot kjo nuk ndodh. Mungesë vullneti apo pamundësi reale përballë prioriteteve të tjera që përcaktojnë vetë bashkitë, kjo është një dilemë, që mbetet pa përgjigje. Ajo që dihet me siguri është se bashkitë nuk po zbatojnë ligjet: as atë të garantimit të kushteve për barazi mes burrave dhe grave dhe as atë të informimit të qytetarëve, edhe pse në internet faqet e tyre online me logot përkatëse dhe fotot e kryetarëve ekzistojnë.
Burimi i fotos: Gender Budgeting
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda – ICEDA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), the Academy of e-Governance (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability (Serbi), NGO 35mm (Mal i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti po zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.