Edhe pse Shqipëria është ndër vendet më nivelin më të lartë të digjitalizimit të shërbimeve publike në rajon, bazuar në raportin e fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) "Government at a Glance - Western Balkans" dhe raportin e Komisionit Europian për vitin 2020[1], problem mbetet niveli i sigurisë. E kjo vlen jo vetëm për shërbimet digitale publike, por edhe ato private. E thënë ndryshe, përdorimin e rrjeteve si Facebook, Instagram, LinkedIn, mail etj nga individët apo bizneset. Janë me dhjetëra rastet e sulmeve të hackers ndaj faqeve zyrytare të institucioneve shtetërore, përfshirë këtu atë të Policisë së Shtetit, që zyrtarisht është edhe institucioni që lufton krimin kibernetik. Rasti në fjalë i përket 8 korrikut të vitit 2017, ku website-i i Policisë së Shtetit[2] u sulmua nga hackers e “Anonymous Albania”. Akoma më të shpeshta janë sulmet ndaj llogarive personale të individëve, veçanërisht në rrjetet sociale.
Në Indeksin e Nivelit të Inteligjencës Artificiale për shërbimet publike për vitin 2019, Shqipëria është në vend të 83-të nga 194 vende të vlerësuara. Megjithëse ky pozicion tregon rritje në raport me vite më parë, në krahasim me vendet e rajonit është në vend të parafundit. Vendet fqinjë, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të pozicionuar 16 deri 25 vende përpara Shqipërisë. Ky rezultat e gjen veten në nivele jo të mira edhe në rastin e analizimit të Indeksit të ndërlidhjes me rrjetin, ku përsëri Mali i Zi dhe Serbia janë 10 dhe 18 pozicione përpara dhe Maqedonia e Veriut është 12 pozicione prapa Shqipërisë.
https://www.oxfordinsights.com/ai-readiness2019
Ekspertët shpjegojnë se sot nuk dihen përmasat reale të krimit kibernetik dhe vetëm shumë pak raste janë të denoncuara apo të zbuluara nga strukturat shtetërore. “Në Shqipëri krimi kibernetik është shumë i përhapur dhe 90% e rasteve të krimit kibernetik nuk dihen as si informacion. Kjo do të thotë që nuk jemi në dijeni për përmasat reale që krimi kibernetik ka në jetën e shqiptarëve. Format më të përhapura i gjejmë në vjedhje identiteti, vjedhje e informacioneve bankare dhe ndërhyrje në të dhënat personale”, shpjegon Gent Progni, drejtor ekzekutiv i kompanisë Aplikacione.com.
Ndërsa burime zyrtare në Policinë e Shtetit shpjegojnë se në Shqipëri përhapja e krimit kibernetik është në të njëjtat nivele me vendet e tjera, me diferencë zonat, ku nuk ka depërtim të internetit apo pajisjeve kompjuterike. “Shqipëria nuk bën dallim nga vendet e tjera dhe për këtë arsye, krimi kibernetik në vendin tonë ka një shtrirje të njëjtë, ashtu si dhe në vendet e tjera. Diferenca bëhet në zonat, ku nuk ka shtrirje të internetit apo në zonat, në të cilat nuk përdoren pajisje teknologjike të zgjuara, gjë që limitojnë dhe shtrirjen e krimeve kibernetike. Veprat më të përhapura janë mashtrimet kompjuterike, ndërhyrjet në sisteme, ndërhyrjet në të dhëna dhe falsifikimet kompjuterike, por nuk bëjnë përjashtim dhe veprat e tjera, të cilat mund dhe të ndërlidhen me këto mësipërme”, shprehen burime zyrtare në Policinë e Shtetit.
Sipas këtyre burimeve, gjatë vitit 2020 ka pasur mbi 200 vepra të denoncuara nga qytetarët për vjedhje adresash në Facebook dhe Instagram, për hapje llogarish të rreme në këto rrjete sociale, me qëllim shantazhi apo sharje. Ndërkohë që janë realizuar 4 operacione policore të krimit kibernetik, që kanë pasur në fokus pronografinë me të mitur; mashtrim kompjuterik; ndërhyrje në sisteme dhe falsifikim kompjuterik për të kërcënuar një efektiv policie.
Por si procedohet në rast se je pre e një sulmi kibernetik?
Institucioni përgjegjës për hetuar rastet është Policia e Shtetit dhe aty duhet të drejtohen edhe personat e prekur për të bërë denoncimet. Pranë këtij institucioni është ngritur Njësia C, e cila merret posaçërisht me hetimin e krimeve kibernetike.
“Më përpara, hetimi i krimeve kibernetike është bërë nga një sektor i përbërë prej 8 punonjësish në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Për shkak të fokusit më të madh që iu është vendosur këtyre krimeve, ky sektor që tani merret me dokumentacionin u tkurr në 5 punonjës, ndërsa u shtua edhe një njësi e re, që u quajt Njësia C Hetimi i Krimeve Kibernetike e përbërë nga 10 punonjës. Kjo njësi që varet nga Drejtoria Hetimore dhe merret eksluzivisht me hetimin e rasteve të denoncuara të krimeve kibernetike”, shpjegojnë burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Sipas këtyre burimeve, qytetarët nga Tirana mund të drejtohen në Njësisë C të Hetimit të Krimit Kibernetik. Ndërsa qytetarët nga rrethet mund të dërgojnë denoncimet e tyre në adresën e postës elektronike: CC@asp.gov.al, të vendosur në dispozicion pikërisht për krimet kibernetike.
Por sa luftohet sot në Shqipëri krimi kibernetik?
Gent Progni, drejtor ekzekutiv i kompanisë Aplikacione.com shprehet skeptik, teksa shpjegon dhe arsyet. “Krimi kibernetik sot luftohet në një masë shumë të ulët dhe në shumicën e rasteve me informacionet e partnerëve strategjikë. Struktuara aktuale e policisë nuk e ka kapacitetin e duhur, si nga ana profesionale, ashtu dhe sasiore për të frenuar dhe kapur personat, që merren me këtë fushë të krimit. Ajo që duhet bërë dhe në mënyrë sa më urgjente është riformimi i strukturës policore të krimit kibernetik. Gjithashtu, i duhet dhënë rëndësi maksimale, duke parë që zhvillimi në teknologjinë e informacionit po merr përparësi maksimale dhe duhet që kjo strukturë së bashku me AKSHI, të bëjnë një rikontroll total të të gjithë serverave dhe sigurisë të çdo institucioni në mënyrë që të krijohet një siguri totale dhe certifikim i personalit dhe personave përgjegjës, që kanë të drejtë hyrjeje dhe marrjeje informacioni në këto struktura”, shprehet Progni.
Burime zyrtare në Policinë e Shtetit shpjegojnë se pavarësisht luftës që i bëhet krimit kibernetik, ajo është e pamjaftueshme. Nevojiten ndryshime ligjore dhe mbi të gjitha forcim i strukturave. “Aktualisht vendi ynë ka struktura, të cilat luftojnë kriminalitetin kibernetik, si dhe marrin pjesë efektive në veprat e tjera që janë të lidhura me të, por nuk mjafton. Struktura e krimit kibernetik duhet të ketë shtrirje në të gjithë territorin e vendit duke qenë më pranë qytetarit, por dhe më afër vendit, ku presupozohet që do të ketë krime kibernetike. Po ashtu struktura e saj duhet të jetë e formëzuar në Drejtori dhe jo thjesht sektor, siç është aktualisht. Kjo do të rriste peshën specifike të strukturës, por në të njëjtën kohë do të mundësonte dhe përmirësimin e hetimeve (duke pasur parasysh që hetimet kibernetike ndikohen maksimalisht nga ndryshimet teknologjike). Gjithashtu, rregullimet në legjislacion do të ishin të domosdoshme, duke pasur parasysh ndryshimet e herëpashershme dhe të shpejta të mjedisit virtual dhe për këtë, nuk duhet harruar që nga ndryshimet e fundit të legjislacionit kibernetik ka kaluar më shumë se një dekadë”, shprehen burimet e mësipërme.
Pandemia e COVID 19 ka shtuar përdoruesit e internetit dhe ka lulëzuar tregtinë online, duke krijuar terren të favorshëm për sulmet kibernetike. Një situatë që kërcënon të gjithë ata që navigojnë në rrjet dhe që me hapin e kohës, po përpiqen të përshtaten me teknologjinë.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda – ICEDA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), the Academy of e-Governance (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability (Serbi), NGO 35mm (Mal i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti po zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.
(Foto njoftimi, burimi: https://www.itproportal.com/news/cybercrime-is-now-a-global-worry/)