"Përfshirja në projektin “Unë Votoj” është padyshim një nga eksperiencat me interesante që kam marrë. Nëse në shumicën e rasteve ndodh t'i hysh një internship-i me pritshmëri të larta dhe më pas t'i ulësh nga pak me kalimin e kohës, në këtë rast ndodhi krejtësisht e kundërta: çdo ditë e më shumë surprizohesha!
Nuk ndryshoi diçka në renditjen e punës, në planet ditore apo në projektin në tërësi, gjithçka shkoi ashtu siç m'u shpjegua teorikisht para se të filloja internship-in, por ndryshimin e vura re te vetja: monitorimi i veprimtarisë së komisioneve dhe seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ndikoi goxha tek unë. Të ndjekësh nga afër organizime të niveleve të tilla, vendimmarrje me rëndësi në rang shteti, të përballesh me seriozitetin ose herë-herë edhe me joseriozitetin e institucionit, të bën që të mësosh shumë.
E përveç nxënies, kjo ekperiencë më kujtoi edhe një herë rëndësinë e punës në grup. Puna me vajzat dhe djemtë e MJAFT-it, ndonëse intensive, ishte shumë harmonike, e këndshme dhe jam e lumtur të them që tashmë kam miq të mirë aty."- studente pranë Universitetit Europian të Tiranës.