Më 30 Mars 2017, Lëvizja Mjaft! prezantoi raportin e studimit “Qeverisja e hapur e institucioneve të pushtetit ekzekutiv në rajon dhe në Shqipëri” në kuadër të projektit ACTION SEE (Accountability, Technology and Institutional Openness Network in South East European region). Projekti vjen si një nismë e përbashkët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnje & Hercegovinën dhe Serbinë. Qëllimi i këtij studimi është të paraqesë gjendjen aktuale në rajon përmes matjeve objektive të qeverisjes së hapur të pushtetit ekzekutiv dhe mundësitë e individit për të përditësuar informacionet prej institucioneve publike, si dhe për të adresuar rekomandime për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Objekt i këtij studimi ishin kryeministria, ministritë dhe agjensitë ekzekutive.
Me një vlerë prej 38% të përmbushjes së treguesve bazë të studimit, Shqipëria renditet e parafundit në rajon për çështjen e Qeverisjes së Hapur, ndërkohë që i gjithë rajoni nuk e kalon vlerën e 47% në përmbushjen e treguesve bazë të marrë në shqyrtim.
Indeksi Rajonal i Qeverisjes së Hapur ka matur shkallën në të cilën institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të disponueshme për qytetarët dhe shoqërinë duke marrë për bazë katër komponentë kryesore, sikurse janë: transparenca, aksesueshmëria, integriteti dhe efektshmëria.
Studimi u krye në bazë të një metode shkencore, e cila është zhvilluar në 2 faza, duke kryer së pari monitorim të institucioneve publike nëpërmjet faqeve të tyre zyrtare të internetit, duke analizuar legjislacionin përkatës dhe në fazën e dytë, është ndjekur metoda e plotësimit të pyetësorëve të strukturuar. Në të gjithë rajonin janë marrë në shqyrtim 274 institucione të pushtetit ekzekutiv, të cilët janë monitoruar për rreth 80 tregues/institucion dhe nga ku janë mbledhur rreth 15,000 të dhëna mbi institucionet.
Periudha kohore për zhvillimin e këtij studimi është shtrirë përreth katër muaj, Tetor – Dhjetor 2016. Në këtë fazë të parë janë paraqitur të dhënat në lidhje me pushtetin ekzekutiv, e cila do të ndiqet më pas me ato për pushtetin vendor dhe pushtetin gjyqësor.
Shkalla e Qeverisjes së Hapur kap shifrat e 58% të treguesve të përmbushur për Kryeministrinë e vendit tonë, një tregues i pritshëm dhe i përafërt me vendet e rajonit. Problemet më të spikatura i referohen mungesës së axhendave për veprimtarinë e sesioneve të parashikuara për t’u zhvilluar nga ky institucion, zhvillimi i mbledhjeve me dyer të mbyllura, si dhe mosaksesimi i dokumentave që lidhen me diskutimet dhe procesverbalet e veprimtarisë, për t’u krijuar qytetarëve dinamikën e diskutimeve mbi politikat specifike që prekin drejtpërdrejt interesat dhe cilësinë e tyre të jetesës.
Ministritë mbërrijnë në kuotën e 35% të përmbushjes së treguesve, ku vihet re një ndryshueshmëri e madhe mes ministrive. Në vlerën e 57%, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Turizmit Tregëtisë dhe Sipërmarjes renditet e para për indeksin e qeverisjes së hapur dhe Ministria e Shtetit për Marrdhëniet me Parlametin me kuotën e vetëm 2.5%, renditet në fundin e listës së këtyre institucioneve ekzekutive.
Agjensitë Ekzekutive kapin kuotën 21% të plotësimit të treguesve për Qeverisjen e Hapur. Në kuadër të detyrimeve ligjore të dala nga Ligji nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, Agjensitë Ekzekutive shkelin këto detyrime duke mos publikuar informacionet e obliguara në faqet e tyre zyrtare dhe për më tepër, gadishmëria dhe disponueshmëria është në nivele shumë të ulëta.
Ky projekt do të vazhdojë edhe për dy vitet në vijim, për të gjeneruar të dhëna kahasimore në lidhje me institucionet e rajonit për sa i takon qeverisjes së hapur. Zbatimi i tij vjen si pjesë e proceseve integruese të Qeverive të Ballkanit Perëndimor në kushtet e arritjes së standarteve të mirëqeverisjes përmes një administrate transparente.