Thirrje për Internship - "Monitorimi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë"

10/01/2018

Monitorimi i Kuvendit (unevotoj.org) ka filluar si nismë e Lëvizjes MJAFT! në vitin 2005, me qëllimin që të sjellë qytetarët më afër performancës së parlamentarëve dhe proceseve parlamentare. Duke qenë se një funksionim më i mirë i kuvendit sjell një qeverisje më demokratike, MJAFT! e ka ngritur punën e saj sipas një metodologjie gjithëpërfshirëse dhe subjekt përmirësimi të vazhdueshëm në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe nevojës së diktuar nga proceset e brendshme.

Shtyllat kryesore të analizës konsistojnë në:

  • Monitorimin e respektimit të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;
  • Analizimin e të dhënave të grumbulluara nga veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë;
  • Monitorimi i transparencës online të faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë (parlament.al)

Për realizimin e këtij raporti, Lëvizja MJAFT! bazohet në informacionin e mbledhur nga monitorimi periodik dhe sistematik i veprimtarisë parlamentare të ndarë në seanca plenare dhe mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare.

Për realizimin e këtij projekti, Lëvizja MJAFT! po kërkon angazhimin vullnetar të 5 studentëve/eve, të cilët/at do të kenë dëshirë të kryejnë internship 6-mujor pranë organizatës sonë. Internship-i konsiston në ndjekjen e tetë Komisioneve të Përhershme Parlamentare dhe Seancave Plenare pranë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, monitorimin dhe raportimin e mbledhjeve që kryhen pranë këtyre ambjenteve, duke u nisur nga një sërë indikatorësh:

  • numri i nismave ligjore të shqyrtuara dhe të miratuara,
  • numri i seancave dëgjimore me grupet e interesit në fazën e diskutimeve parlamentare për nisma që impaktojnë këto grupe,
  • prezenca e deputetëve/eve në punimet parlamentare dhe përfshirja e tyre në diskutime,
  • respektimi i procedurës parlamentare,
  • respektimi i programeve të transparencës

Ky internship i pajis studentët/et me një sërë aftësi komunikuese, organizative dhe i njeh ata/o më mirë me bazën ligjore, për çdo ndryshim legjislativ që kryhet në Kuvendin e Shqipërisë. Internship-i, gjithashtu, shërben dhe si praktikë mësimore për studentët, në funksion të degës në të cilën studiojnë.

Bëj diçka të vlefshme për veten dhe arsimimin tënd duke u angazhuar në këtë projekt!

Kriteret:

  • Të jenë në vitin e dytë ose tretë të studimeve Bachelor, ose niveli Master.
  • Të jenë të disponueshëm/me për 6-muaj nga e hëna në të enjten, përgjatë orarit 9:30 - 13:30.
  • Korrektë/e me zbatimin e orareve.
  • Aftësi shumë të mira raportuese dhe të orientuar/a drejt detajeve.  
  • Drejtshkrim i gjuhës shqipe.

Për të qenë pjesë e internship-it, ju lutemi të plotësoni formatin e aplikimit: Internship Application 

Afati i fundit për të plotësuar aplikimin tuaj: 26 janar 2018

Për detaje apo pyetje, mund të na kontaktoni në adresën e e-mail-it: info@mjaft.org, me Subject: “Unevotoj_intern”.