Dialogu Kombëtar për Agjendën Digjitale / Plani Kombëtar për Qeverisjen e Hapur dhe digjitalizimi

18/04/2023

Më datë 18 prill 2023, Lëvizja MJAFT! organizoi me organizata të shoqërisë civile Dialogun Kombëtar për Agjendën Digjitale, fokusuar në Planin Kombëtar për Qeverisjen e Hapur 2023-2025. Qëllimi i këtij takimi ishte të ndaheshin arritjet e realizuar në kuadër të projektit “Increasing Civic Engagement in Digital Agenda – ICEDA”, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian dhe realizuar në partneritet me organizata nga rajoni: Fondacioni Metamorphosis (Maqedoni e Veriut), Open Data Kosovo (Kosovë), NVO 35mm (Mal i Zi), Partners Serbija (Serbi), si dhe me asistencën teknike të e-Governance Academy (Estoni).

Nisur nga plani i ri kombëtar, hartuar për Qeverisjen e Hapur, i shtati i ndërtuar në këtë kuadër, ky takim u realizua për t’u fokusuar në një nga angazhimet kryesore që ky dokument synon për periudhën 2023-2025: Transformimi digjital dhe Inovacioni. Pjesë e këtij angazhimi është edhe Lëvizja MJAFT!, e cila do të vlerësojë realizimin e publikimit të formateve të të dhënave të hapura, aksesin në faqe zyrtare online dhe progresin digjital të qeverisë dhe organeve të lidhura.

Për më shumë informacion mbi Planin e ri Kombëtar për Qeverisjen e Hapur, kliko këtu.