Në bashkëpunim me partnerët e rrjetit rajonal ACTION SEE, Lëvizja MJAFT! ka përgatitur analizën e nivelit të transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Një nga qëllimet e aktiviteteve tona është të përkufizojmë gjendjen reale të kësaj fushe dhe të japim rekomandime për përmirësim përmes objektivave të matshme të hapjes së sistemit të drejtësisë në rajon. Përmirësimi i respektimit të parimeve të mirë-qeverisjes, ku qeveria e hapur zë një hapësirë shumë të rëndësishme, paraqet një nga qëllimet tona.
Hapja e institucioneve të sistemit gjyqësor është matur duke përdorur tregues bazë të performancës së tyre. Megjithatë, situata në rajon paraqitet jo e mirë; strukturat gjyqësore nuk kanë adaptuar në funksionimin e tyre politikën e qeverisjes së hapur, e cila prezanton bazat e veprimtarisë institucionale. Gjykatat e rajonit arrijnë 48% të treguesve të performancës, ndërkohë që zyrat e prokurorive arrijnë në 40%. Ky rezultat na tregon se hapa urgjentë aksioni janë të nevojshëm të ndërmerren për përmirësimin e hapjes së këtij sistemi.
Niveli i hapjes së sistemit të drejtësisë u mat përgjatë periudhës Tetor - Dhjetor 2016 në kuadër të Indeksit Rajonal të Hapjes së institucioneve. Hapja e këtij sistemi u mat në bazë të më shumë se 100 treguesve të performancës, të ndarë në katër dimensione: transparenca, aksesueshmëria, integriteti dhe eficenca.
Duke marrë në konsideratë nivelin e ulët të besimit publik ndaj sistemit të drejtësisë në rajon, është i nevojshëm një vullnet i fortë politik për të përmirësuar situatën përmes një qasjeje proaktive të publikimit të informacionit dhe përmirësimit operacional të shërbimeve publike.
Ky dokument i adresohet vendimmarrësve të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë në rajon. Gjithashtu, mund të jetë i dobishëm për përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe kolegët e sektorit të organizatave joqeveritare, që merren me çështje të tilla.
Jemi në dispozicionin tuaj për të gjitha sugjerimet, kritikat dashamirëse dhe diskutimet lidhur me këtë punim!