Qeverisja e Hapur e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore

Në bashkëpunim me partnerët e rrjetit rajonal ACTION SEE, Lëvizja MJAFT! ka përgatitur analizën e nivelit të transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së njësive të vetëqeverisjes vendore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Konkluzioni i përgjithshëm është se këto njësi të qeverisjes vendore kanë performuar në nivele shumë të ulëta, si në vendin tonë, ashtu edhe në rajon.

Qëllimi i këtij dokumenti është të përcaktojë një situatë reale në fushën e qeverisjes së hapur dhe llogaridhënies, për të treguar gatishmërinë e njësive lokale në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Qeverisja e hapur e njësive lokale përfshin transparencën dhe eficencën e institucioneve, si dhe komunikimin efektiv me qytetarët.

Në krahasim me rezultatet e qeverisjes së hapur të pushtetit ekzekutiv dhe Parlamentit, rezultatet janë shumë më të ulëta e në të njëjtën kohë edhe shqetësuese. Është e pranuar se qeverisja e hapur rritet sa më shumë të zbresim në hierarkinë e strukturave qeverisëse, duke qenë se janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Megjithatë, ky studim ka treguar të kundërtën. Pushtetet rajonale duhet të përpiqen më shumë në mënyrë që të angazhojnë qytetarët në vendim-marrje, gjë e cila reflekton drejtpërdrejt në cilësinë e tyre të jetesës. Në rastin e Shqipërisë, Qeverisja e hapur e Pushtetit Vendor arrin në shifrat 12% të përmbushjes së treguesve, një rezultat jo i kënaqshëm për perfomancën e veprimtarisë së këtij pushteti.

Pikat kryesore që vihen re nga procesi i monitorimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore janë:

  • Mungesë në strukturim dhe infrastrukturën e komunikimit;
  • Nuk kanë staf të mjaftueshëm dhe të specializuar për të ndarë informacionin e nevojshëm me publikun kryesisht;
  • Mospublikimi i informacioneve në formë elektronike dhe/ose open data format;
  • Mungesë të theksuar të shpjegimeve mbi shpenzimet në nivel institucional;
  • Mungesë e pjesëmarrjes qytetare në planet dhe strategjitë e zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë.

Bazuar në këto rezultatet, rekomandimet që duhet të merren parasysh nga ky pushtet janë si më poshtë:

Zbatimi i reformës Administrativo-territoriale jo vetëm në nivel territorial, por dhe në nivel administrativ;

Respektimi i neneve të ligjit për të drejtën e informimit;

Publikimi i informacioneve buxhetore në mënyrë të qartë dhe të strukturuar dhe në format open data;

Penalitete për proceset konsultative;

Publikimi i programit të transparencës.

Metodologjia e Kërkimit

Indeksi Rajonal i Qeverisjes së Hapur mat shkallën në të cilën Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore të Ballkanit Perëndimor janë të hapura për qytetarët dhe shoqërinë, bazuar në katër parimet bazë si vijon: 1)Transparenca, 2)Aksesueshmëria, 3) Integriteti, dhe 4)Efektshmëria.

Parimi i transparencës përfshin informacionin organizativ, buxhetin dhe procedurat e prokurimeve publike, të cilat janë në dispozicion të publikut dhe të publikuara. Aksesueshmëria është e lidhur me sigurimin dhe respektimin e procedurave për akses të lirë në informacion, duke përmirësuar disponueshmërinë e informacionit përmes mekanizmave të debatit publik dhe forcimin e ndërveprimit me qytetarët. Integriteti përbëhet nga mekanizmi i parandalimit të korrupsionit, mbajtjen e kodit etik dhe rregulloret e lobimit. Parimi i fundit, Efektshmëria i referohet monitorimit dhe vlerësimit të politikave të zbatuara nga Institucionet.