QEVERISJA E HAPUR E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, VITI 2021
PROPOZIME PËR PËRMIRËSIMIN E SITUATËS
Përpjekje të koordinuara ndërinstitucionale janë ndërmarrë që prej Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014, për të përmirësuar performancën e njësive të vetëqeverisjes vendore, rritjes dhe forcimit të kapaciteteve të personeleve të këtyre njësive, si dhe rritjes së transparencës. Prej fundit të vitit 2021, diskutime mbi rishikimin dhe ndryshimin e kësaj reforme kanë filluar ndërmjet qeverisë dhe partisë më të madhe në opozitë. Në kuadër të këtyre diskutime, është krijuar gjithashtu Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë. Qëllimi i këtij komisioni është të vlerësojë rezultatet e arritura nga reforma e 2014-s dhe të bëjë modifikime sipas nevojës së lindur, me në qendër qytetarin dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara ndaj tyre. Duke synuar qytetarin në qendër gjithashtu, opozita propozon ndryshime edhe më thelbësore, siç është ndryshimi i numrit të njësive të vetëqeverisjes vendore nga 61 në 95 bashki, nxitur me pretendimin se ndarjes aktuale është e ndikuar nga interesat politike jo në dobi të komuniteteve. Komisioni i posaçëm i krijuar në qershor të këtij viti, ende nuk ka arritur në një propozim final të konkluduar ndërmjet palëve të përfshira politike.
Kontribut shumë të rëndësishëm për mbështetjen e Reformës Administrativo-Territoriale ka dhënë projekti “Star 2”. Një projekt me vlerë 8.2 milionë EUR, i financuar 43% nga Bashkimi Europian dhe mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, Qeveria e Suedisë, Qeveria e Italisë, Qeveria Zvicerane, Shtetet e Bashkuara, Qeveria Shqiptare, projekt i cili synoi arritjen e objektivave për periudhën korrik 2016 – dhjetor 2019. Projekti u hartua me qëllim: (i) forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative, (ii) përmirësimin e efiçencës së ofrimit të shërbimeve, dhe (iii) rritjen e demokracisë vendore përmes nxitjes së qeverisjes me në qendër qytetarin dhe vendimmarrjen me pjesëmarrje, duke shfrytëzuar rolin e grave si aktorë ndryshimi.
Gjithashtu, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është fokusuar në vitet e fundit në trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve të stafit administrativ të këtyre njësive, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre në dhënien e informacionit publik proaktiv, për të qenë sa ma transparente ndaj qytetarëve të komunitetit që mbulojnë. Pavarësisht se udhëri nr.187, datë 18/12/2020 “Për miratimin e programit të transparencës së rishikuar” ngarkon për zbatim të gjitha autoritetet publike, me përjashtim të njësive të vetëqeverisjes vendore, nga monitorimi është vënë re se thuajse çdo njësi që ka një faqe zyrtare, ka përshtatur këtë model programi transparence për të publikuar informacionin e parashikuar në nenin 7 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, për kategoritë e informacionit që duhet të bëhet publik pa kërkesë. Përgjatë vitit 2021, zyra e komisionerit ka realizuar dy monitorime për transparencën e njësive të vetëqeverisjes vendore, referuar përditësimit të programeve të transparencës, rregjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe koordinatorit për konsultimin publik, si dhe të dhënat për buxhetin dhe planin e shpenzimeve financiare. Sipas këtyre monitorimeve, pushteti vendor ka një rritje të përformancës së transparencës krahasimisht me vitin 2020.
Këto përpjekje kanë ndikuar në rritjen e transparencës institucionale ndër vite; krijimi i faqeve zyrtare të internetit, hartimi i modeleve të programeve të transparencës, zhvillimi i trajnimeve relevante për fushën (edhe pse të pakta në numër), kanë ndikuar në nxitjen e dhënies proaktive të informacionit, edhe pse këto institucione mbeten ende shumë të ngurta në zbatimin e vullnetit politik për të qenë sa më të hapura ndaj qytetarëve.



