Raporti "Parlamenti i Hapur në Republikën e Shqipërisë"

Në bashkëpunim me partnerët nga rrjeti rajonal i NGO-ve “Action SEE“, Lëvizja MJAFT! përgatiti raportin përmes të cilit analizohet niveli i transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së Pushtetit Legjislativ në Shqipëri. Dokumenti prezanton rezultatet e kërkimit bazuar në metodologji shkencore, zhvilluar nga anëtarët e Action SEE.

Qëllimi i aktiviteteve tona është të përcaktojmë kushtet reale ku ndodhet rajoni dhe të bëjmë rekomandime për përmirësimin e tyre përmes një matjeje objektive të hapjes parlamentare në rajon. Gjithashtu, synimi është të përmirësohet respektimi i parimeve të qeverisjes së mirë, në të cilën hapja zë një hapësirë të rëndësishme.

Të gjithë Parlamentet rajonale duhet të sigurojnë një hapje të plotë të punës së tyre dhe, në këtë mënyrë, të demostrojnë përgjegjësi politike dhe respektim të parimeve themelore të demokracisë. Përmes sigurimit të të gjithë informacioneve përkatëse, parlamentet duhet të mos pengojnë pashqyrimin e punës së tyre. Deklarata mbi Hapjen Parlamentare përcakton detyrimet e parlamentit për t’u siguruar qytetarëve ndihmë juridike gjatë ushtrimit të të drejtës së tyre për akses në informacionet parlamentare.

Parlamentet Rajonale vlerësohen mesatarisht me arritjen e 63% të kritereve të hapjes. Ky rezultat nuk është i kënaqshëm, duke marrë në konsideratë se po flasim për institucione, të cilët janë zgjedhur drejtpërdrejt dhe janë përgjegjëse për qytetarët. Informacioni në lidhje me punën e parlamentit i përket publikut dhe, për rrjedhojë, është e nevojshme të përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme niveli i ekzistencës së një kulture të hapjes parlamentare.

Pikat kryesore që vihen re nga procesi i monitorimit të Parlamenteve janë:

  • Transparencë e pamjaftueshme mbi informacionin organizativ dhe financiar
  • Komunikim i pamjaftueshëm me qytetarët dhe mundësia e tyre për pjesëmarrje
  • Sjellja (JO) etike e deputetëve
  • Efekti i kontrollit parlamentar mbi pushtetet e tjera

Hapja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Bazuar në rezultatet e kërkimit Kuvendi i Shqipërisë mbërrin në 60%  të plotësimit të treguesve të hapjes. Ky rezultat nënkupton se ka ende punë për t’u bërë për të pasur një performancë më të mirë të aktivitetit të Kuvendit të Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme për t’u përmendur se janë disa praktika të mira të zbatuara nga administrata e Kuvendit, por ende është i nevojshëm miratimi i praktikave ndërkombëtare për ta bërë Kuvendin e Shqipërisë më të hapur.

Në vijim po japim rekomandime kyçe për Kuvendin e Shqipërise:

  • Të planifikojë në mënyrë strategjike zhvillimet për hapjen dhe llogaridhënien e Kuvendit të Shqipërisë përmes identifikimit të problemeve kryesore dhe mënyrave për zgjidhjen e tyre.
  • Është e nevojshme për të qenë më të rreptë në specifikimet e Rregullores së Procedurës në aspektin e efektivitetit dhe cilësisë së zbatimit në sesionet parlamentare.
  • Përmirësimi i komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë kundrejt qytetarëve përmes hapjes së një kanali për komunikim "të shpejtë" në dy rrjete sociale.

  • Miratimin e një metodologjie unike për vlerësimin e zgjidhjeve ligjore dhe forcimi i ndjeshëm i kapaciteteve të Parlamentit për krijimin e këtyre studimeve.

  • Përmirësim të transparencës buxhetore të Kuvendit dhe përqasjen e tij për qytetarët. Të rritet transparenca e procesit të miratimit të buxhetit të Shqipërisë. Të rritet transparenca e prokurimeve publike.

Metodologjia e Kerkimit

Indeksi Rajonal i Hapjes mat shkallën në të cilën Parlamentet e Ballkanit Perëndimor janë të hapur për qytetarët dhe shoqërinë, bazuar në katër parimet bazë si vijon: 1)Transparenca, 2)Aksesueshmëria, 3) Integriteti, dhe 4)Efektshmëria.

Parimi i transparencës përfshin informacionin organizativ, buxhetin dhe procedurat e prokurimeve publike, të cilat janë në dispozicion të publikut dhe të publikuara. Aksesueshmëria është e lidhur me sigurimin dhe respektimin e procedurave për akses të lirë në informacion, duke përmirësuar disponueshmërinë e informacionit përmes mekanizmave të debatit publik dhe forcimin e ndërveprimit me qytetarët. Integriteti përbëhet nga mekanizmi i parandalimit të korrupsionit, mbajtjen e kodit etik dhe rregulloret e lobimit. Parimi i fundit, Efektshmëria i referohet monitorimit dhe vlerësimit të politikave të zbatuara nga Institucionet.

Përmes rreth 100 treguesve, ne kemi matur dhe analizuar hapjen e parlamenteve në rajon dhe janë mbledhur 1000 të dhëna. Matjet janë kryer në periudhën nga Tetori deri në fund të Dhjetorit 2016.